Arrestohet një grup në Rahovec, dyshohet se kreu 20 vjedhje

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë të dyshuar në Rahovec, prej tyre tre të moshës madhore dhe dy të mitur nën dyshimin se kanë kryer afër 20 vjedhje.

Ata dyshohet se gjatë periudhës kohore tetor-nëntor-dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti, kanë kryer rreth 20 vjedhje kryesisht në Rahovec. Cak kanë qenë tri xhami dhe 15 objekte tjera të ndryshme, përfshirë dyqane, barnatore e shkolla.

Grupi dyshohet se ka vjedhur deri 1500 euro para të gatshme dhe deri 2000 euro gjësende, cigare e gjëra tjera.

“Përkitazi kësaj, Njësiti i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprimet hetimore që kanë rezultuar me mbledhjen e provave materiale që quan në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e pesë të dyshuarve, prej tyre: (tre madhor dhe dy të mitur 16 & 14 vjeçar). Pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj pesë të dyshuarve për 20 vepra penale të vjedhjeve të rënda, pranë Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe kërkesës pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për tre prej tyre ndërsa dy janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet nga Policia e Kosovës.