Arrestohet 50-vjeçari i dyshuar për vrasjen në Przren

Një ngjarje e rëndë tronditi të dielën Prizrenin, ku në orët e pasdites, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi. Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes. Policia e kishte shpallur Gashin në kërkim, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Aziz Gashi tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës kishte publikuar fotografinë e të dyshuarit duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për ta gjetur 50-vjeçarin.

Si ndodhi krimi?

Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.

Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes po vazhdojnë, Policia akoma nuk ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili mbrëmë i shpëtoi prangave duke ikur.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Rreth orës 18:46 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbana. I dyshuari nga automjeti në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Është komnstatuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Viktima është mashkull shqiptar i moshës rreth 48 vjeçar dhe i dyshimti është rreth moshës 50-55 vjeçare. I dyshuari është në kërkim nga Policia. Policia bashkë me njësinë e forenzikës janë në vendin e ngjarjes”, tha Bytyqi.