Arrestohen dy kosovarë në Zvicër, po fshiheshin në dollapin e një banese

Dy kosovarë, njëri 30 vjeç dhe tjetri 40, u arrestuan të hënën nga policia kantonale e Cyrihut, si të dyshuar për disa vjedhje të ndryshme, shkruan “Landbote”.

Të dyshuarit po qëndronin ilegalisht në Zvicër.

Megjithatë, interesant është arrestimi i tyre. Policia zvicerane i kishte rënë ziles së një banese në Winterthur si pjesë e një hetimi. Dera e banesës u hap me vonesë. Shkaku i kësaj situate, oficerët dyshuan se në banesë kishte edhe njerëz të tjerë, dhe për këtë arsye, ata nisën ta bastisin banesën.

Dyshimet e tyre u vërtetuan. Dy kosovarët e arrestuar për vjedhje u gjetën në një dollap të banesës. Gjithashtu, u gjetën edhe mjetet me të cilat kishin kryer vjedhjet.

Përveç tyre, u arrestuan edhe qiramarrësi 25-vjeçar dhe një 43-vjeçar që ishte i pranishëm në banesë gjatë bastisjes së policisë.