Aktivistë të LDK-së në Prizren akuzojnë kryetarin e degës, Driton Selmanaj, për manipulim votash

Aktivistë të LDK-së mbajnë aksion simbolik para zyrës së partisë në Prizren

Një grup aktivistësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë mbajtur këtë pasdite një aksion simbolik para zyrës së degës së kësaj partie në Prizren, ku kanë vendosur mbishkrime në hyrje të objektit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë.

Në emër të aktivistëve, Salajdin Fanaj deklaroi se aksioni u organizua si shenjë simbolike e pakënaqësisë së tyre, si aktivistë të përkushtuar të LDK-së, ndaj kryetarit të degës së partisë në Prizren, Driton Selmanaj, të cilin e akuzojnë për, siç u shpreh ai, degradim të vazhdueshëm të subjektit politik në këtë komunë.

Sipas Fanajt, pakënaqësia e aktivistëve është thelluar edhe më tej pas pretendimeve për manipulim të votave, çështje e cila, sipas tij, është e dënueshme për të gjitha partitë politike në Prizren, por për aktivistët e LDK-së mbetet veçanërisht e papranueshme që edhe ky subjekt politik të jetë përfshirë në një dukuri që ata e cilësojnë si të shëmtuar dhe antiligjore.

Ai theksoi se këto zhvillime kanë dëmtuar besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve, duke bërë thirrje për një riorganizim të përgjithshëm të LDK-së në Prizren, me njerëz të ndershëm dhe me kredibilitet, të cilët, sipas tij, do t’u shërbejnë interesave të qytetarëve dhe jo interesave personale apo grupore.

Pas përfundimit të aksionit dhe vendosjes së mbishkrimeve, grupi i aktivistëve u shpërnda qetësisht, por kanë paralajmëruar se nuk përjashtojnë zhvillime të reja dhe veprime të tjera publike, nëse shqetësimet e tyre vazhdojnë të mbesin pa adresim nga drejtuesit e degës së LDK-së në Prizren.

Foto : TV PRIZRENI

— Dragash Info