Afro 6 mijë persona janë përfitues të pakos emergjente, për 130 euro

Ka filluar pagesa prej nga 130 euro e përfituesve të skemës së ndihmës sociale.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, janë 5,559 përfitues të masës 15 të pakos Emergjente Fiskale, shkruan IndeksOnline.

“Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se ka urdhëruar ekzekutimin e pagesave sipas vendimit të Qeverisë për Pakon Emergjente Fiskale, Nr. 01/19, dhe vendimit të Ministrit  të Financave dhe Transfereve, Nr. 31/2020, përkatësisht masën 15 për 5,559  përfitues, pas verifikimit të një pjese të aplikacioneve dhe aprovimit të tyre”.

Ky institucion ka apeluar tek përfituesit që t’i respektojnë rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi dhe të mbajnë distancën sociale nga 2 metra me njëri-tjetrin.

“Gjithashtu, njoftojmë aplikuesit e masës 15 se është duke u punuar intensivisht për shqyrtimin e aplikacioneve të tjera dhe pagesat janë duke u kryer në vazhdimësi. 

Përfituesit të cilët janë lajmëruar përmes mesazheve telefonike luten që:

–       Tërheqjen e mjeteve ta bëjnë në Postën e Kosovës, në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e COVID-19; dhe

–       Gjatë tërheqjes së mjeteve të respektohen rregullat e distancës sociale dhe të merren masat mbrojtëse, sipas specifikave të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës”.