Evakuohen 10 mijë banorë në të gjithë Shqipërinë, IKMT-ja shemb hotel Lubjanën

Kur kanë kaluar 5 ditë nga tërmeti tragjik që mori dhjetëra jetë njerëzish, qindra familje vijojnë të mos kthehen në banesat e tyre, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar por edhe nga frika për ndonjë lëkundje tjetër. Shifrat paraprake flasin për rreth 10 mijë banorë të evakuar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa vijojnë verifikimet edhe në disa zona në Durrës.Ndërkohë në Shqipëri për të filluar punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar nga ky tërmet kanë ardhur grupe eskpertësh nga Greqia, Franca, Italia dhe Zvicra.

Dy zonat më të prekura nga tërmeti i së martës janë Durrësi dhe Thumana, por dëme ka patur edhe në zonat përreth këtyre qyteteve përfshi edhe kryeqytetin. Në Tiranë 1192 banesa kanë dëmtime serioze dhe tani 265 pallate kërkojnë vlerësim. 

Nga tërmeti i 26 Nëntorit nga verifikimet e deritanishme rezulton se janë shembur 6 pallate dhe 20 banesa, ndërsa 185 pallate kanë pësuar dëmtime, 38 prej të cilëve rëndë.