Kurti e uron Abdixhikun: Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën

Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka uruar Lumir Abdixhikun për marrjen e udhëheqjes së LDK-së në zgjedhjet që u mbajtën sot. Në postimin e tij, Kurti shkruar se është në interes të Kosovës opozitarizmi i fortë.

Tutje i pari i LVV, i cili pritet të jetë kryeministër i vendit, ka thënë se vullneti për të bashkëpunuar me Abdixhikun nuk do të mungojë asnjëherë.

”Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, ka shkruar Kurti, përcjellë Reporteri.net.

Kujtojmë që Abdixhiku në Qeverinë Kurti I ka mbajtur pozitën e ministrit të Infrastrukturës dhe rrëzimin e së cilës qeveri e ka cilësuar si hap të gabuar.

Sot delegatët e LDK-së kanë zgjedhur Abdixhikun për kryetar të partisë.

Postimi i plotë:

Dëshiroj të uroj punë të mbarë për z. Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së.

Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë.

Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.

Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë.