Ish-komandanti i UÇK-së i reagon Limajt: S’mundesh me qenë me çlirimtarët e UÇK-në, e me sha PDK-në

Ish-komandanti i UÇK-së, njëherit anëtar i PDK-së, Sokol Bashota, i ka reaguar kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili kërkoi të mos votohet PDK-ja, pasi atë e udhëheq një njeri si Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se do të kërkojë azil në Beograd nëse fiton UÇK-ja.

Bashota, ka thënë se me këtë qasje, Limaj, jo që nuk do ta kalojë pragun, por do të mbetet edhe pa nderë.

“Deklaratat e fundit të Fatmir Limajt kundër Partisë Demokratike të Kosovës janë të turpshme. Nuk mundesh me qenë edhe me çlirimtarët e UÇK-në, edhe me e sha PDK-në. Sepse, UÇK-ja është PDK-ja. Me këtë qasje, dy gjëra i ka të sigurta Fatmir Limaj: Do të mbetet edhe pa e kaluar pragun, edhe pa nder”, ka thënë Bashota përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook,

Ish-kryetari i Klinës, Bashota, ka shtuar se duke e sulmuar PDK-në, ai nuk do ta marrë kurrë asnjë votë të ushtarëve e patriotëve.

“Partia Demokratike e Kosovës, si partia e vetme e krijuar mbi vlerat e luftës dhe pasardhëse e UÇK-së, është duke marrë një mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga patriotët, atdhetarët dhe profesionistët, të cilët, përmes PDK-së, dëshirojnë ta mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së. Janë pikërisht ish ushtarët e UÇK-së, që sot më shumë se asnjëherë, janë mbledhur rreth PDK-së për ta realizuar rimëkëmbjen kombëtare”, theksoi Bashota.

Sipas tij, ADN-ja e PDK-së është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“UÇK-ja është e shtrirë kudo ku është e shtrirë PDK, prej Këshillit Drejtues, Kryesisë, Degëve e Nëndegëve, në tërë Kosovën, si patriotë e profesionistë, si vlerë qytetare dhe kombëtare. E sa për “respektin” e Fatmir Limajt për ushtarët e UÇK-së, e ka treguar më së miri pushteti i tij lokal në Malishevë, kur i diferencoi dhe i përjashtoi pjesëtarët e UÇK-së veç pse ata ishin në PDK”, shtoio Bashota.

Prandaj, sipas Bashotës, “kauza” e tij e sotme për gjoja mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është vetëm farsë dhe mjet për t’u përpjekur ta shpëtojë fundin e tij politik, asgjë tjetër.