Qalaj paralajmëron mbylljen e lokaleve që nuk respektojnë masat kundër koronavirusit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka paralajmëruar mbylljen e lokaleve që po shkelin masat anti-COVID.

Ai u ka bërë thirrje pjesëtarëve policorë që çdo operator ekonomik që ka përsëritur në vazhdimësi veprimet që nuk janë në përputhje me masat e qeverisë, përveç gjobave, ato duhet edhe të mbyllen.

Ai ka njoftuar se deri më tani Policia e Kosovës ka bërë 11 mijë e 824 fletëparaqitje.

“Policia e Kosovës deri më tani ka bërë 11 mijë e 824 fletë-paraqitje të cilat i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë dhe këto fletëparaqitje do të shndërrohen në gjoba. Kemi bërë 14 mijë e 101 vërejtje qytetarëve, të cilat janë vërejtje me shkrim, të cilat janë të evidentuara në data bazat tonë. Dhe konsideroj që dhe u bëj thirrje policëve të Kosovës që tani e tutje mos të lejojnë qytetarët e Kosovës të cilët nuk respektojnë vendimet e qeverisë, masat mbrojtëse dhe të sanksionojnë të gjithë. Po ashtu së bashku me inspektorët sanitarë që të shtojnë inspektimet në operatorë ekonomikë, në lokale, markete dhe autobusë… Të shikohet mundësia edhe e mbylljeve të kefiterive dhe objekteve afariste të tjera.”, ka theksuar ai.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë rezultuar 224 raste të reja me COVID-19.