Në shënim të Epopesë së UÇK-së përkujtohen dëshmorët e kombit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së, sot kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, bashkëpunëtorë të ekzekutivit, anëtarë të kuvendit, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, baba i dëshmorit Mujë Krasniqi, Halil Krasniqi, komandanti i policisë në Klinë dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh te busti i ish komandantit të UÇK-së, dëshmorit Mujë Krasniqi.

Në nderim të veprës së dëshmorëve për lirinë e vendit, homazhe janë bërë edhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë.

Kryetari Elezaj ka theksuar se sakrifica, flijimi dhe rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari, familjes së tij, komandant “Kapuçit” dhe gjithë dëshmorëve të lirisë, do të mbetet në kujtesën e tonë kombëtare si pjesa më e dhimbshme por edhe më krenare.