Kapen në park duke bërë pazar me drogë – dy të rinj ndalohen në Klinë

Dy të rinj janë ndaluar nga Policia në Klinë, pasi janë kapur në flagrancë me substanca të dyshuara narkotike, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 27 prill 2026 rreth orës 12:55 në parkun e qytetit “Ilir Merturi”, ku patrulla në kuadër të planit operativ “Stop Drogave” ka ndaluar dhe legjitimuar të dyshuarit A. H. dhe O.G

Gjatë kontrollit, tek të njëjtit janë gjetur një cigare dhe dy qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (rreth 2 gram), si dhe 9 euro para të gatshme.

Sipas burimeve, të dyshuarit kanë pranuar verbalisht se ishin duke kryer shitblerje të narkotikëve në momentin e ndalimit.

Nga veprimet policore, tek i dyshuari i parë janë sekuestruar substanca narkotike dhe paratë që dyshohet se rrjedhin nga shitja, ndërsa tek i dyshuari i dytë është gjetur një cigare e mbushur me marihuanë dhe një qese e vogël me të njëjtën substancë.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa për procedim të mëtejshëm është njoftuar njësia përkatëse e DHTN-së në Pejë.

Hetimet për rastin janë në vazhdim