Protesta dha efekt/ Nisin punimet në rrugën “Sadik Rama” në Klinë

Pas protestës së zhvilluar nga banorët dhe bizneset, sot në ora 10:00 kanë rifilluar punimet në rrugën “Sadik Rama” në Klinë.

Qytetarët, të cilët një ditë më parë kishin paralajmëruar reagim publik për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës dhe zvarritjes së punimeve, janë mobilizuar në protestë ku morën pjesë në numër të madh si banorë ashtu edhe përfaqësues të bizneseve lokale.

Vetëm pak orë pas këtij reagimi, kompania përgjegjëse ka dalë në terren dhe ka nisur punën për rregullimin e rrugës, e cila prej rreth një muaji kishte mbetur e paasfaltuar dhe në kushte të papërshtatshme për qarkullim.

Rruga “Sadik Rama” konsiderohet një segment i rëndësishëm për qarkullimin dhe zhvillimin e bizneseve në atë zonë, ndaj përfundimi i saj mbetet kërkesë kryesore e komunitetit lokal.