Përurohet nënstacioni policor në Komoran – një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe fuqizimit të partneritetit me qytetarët

Sot, më datë 10 prill 2026 u mbajt ceremonia e përurimit të nënstacionit policor në Komoran, një projekt me rëndësi të veçantë për avancimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve policore ndaj qytetarëve.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Kryetarin e Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, përfaqësues institucionalë, eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Përurimi i këtij nënstacioni përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale të Policisë së Kosovës si dhe thellon bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin në këtë zonë.

Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës i ndau letërfalënderim Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij projekti.

Nënstacioni policor në Komoran do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen dhe fuqizimin e rendit dhe ligjit, si dhe në ofrimin e shërbimeve edhe më efikase dhe më të afërta për qytetarët.