Përkujtohen martirët e Potërqit, Elezaj: Kujtimi i tyre mbetet i përjetshëm

Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur në Potërq, është nderuar sakrifica e martirëve që ranë për lirinë e Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Në fjalën e tij, kryetari Elezaj theksoi se institucionet komunale janë çdo vit pjesë e këtyre përvjetorëve, duke e konsideruar si obligim moral dhe institucional nderimin e dëshmorëve dhe martirëve.

“Si çdo vit jemi pranë, bashkë si sot, në kujtim të veprës së të gjithë martirëve të Potërqit që ranë për lirinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Kreu i komunës shtoi se kujtimi për ta mbetet i freskët dhe i përjetshëm, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së këtij kujtimi ndër breza.

Në emër të familjeve të martirëve ka folur edhe Islam Zeneli, i cili ka shprehur mirënjohje për përkrahjen institucionale.

Ai ka falënderuar kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për praninë e tij të vazhdueshme në çdo përvjetor, duke e vlerësuar këtë si një dëshmi respekti dhe përkushtimi ndaj sakrificës së dëshmorëve.

Këto përvjetorë shërbejnë si kujtesë e përhershme për sakrificën e të rënëve dhe si thirrje që brezat e rinj të ruajnë dhe nderojnë historinë e vendit./Klina info/