(Pa)Drejtësia në matjen dhe faturimin e energjisë elektrike nga KEDS

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në një shoqëri moderne, energjia elektrike është një ndër shërbimet më të rëndësishme për jetën e përditshme. Çdo familje varet nga ajo për ndriçim, ngrohje dhe funksionimin normal të aktiviteteve të saj. Prandaj, matja dhe faturimi i energjisë nga KEDS duhet të jenë të sakta dhe të drejta. Çdo gabim në këtë proces mund të sjellë pasoja për qytetarët.

Pikërisht në rastin tim, ora e rrymës në shtëpi nuk funksionon sipas kohës reale, por ecën dy orë prapa prej më shumë se dhjetë vitesh. Ky problem nuk është thjeshtë teknik, sepse një matje e pasaktë mund të ndikojë drejtpërdrejt në faturim. Nëse ora elektrike tregon të dhëna të pasakta, atëherë lind dyshimi se konsumatori mund të paguajë më shumë sesa ka shpenzuar në të vërtetë.

Ky fenomen ngre disa pyetje të rëndësishme: a është kjo një neglizhencë nga ana e institucioneve përgjegjëse, apo një mungesë kontrolli dhe mirëmbajtjeje? Për më tepër, fakti që kjo situatë ka vazhduar për një kohë kaq të gjatë tregon se sistemi nuk po funksionon siç duhet.
Në një shtet të së drejtës, mbrojtja e konsumatorit duhet të jetë prioritet. Institucionet tona shtetërore kanë detyrimin të kontrollojnë pajisjet matëse, të garantojnë saktësinë e tyre dhe të ndërhyjnë në kohë kur lindin probleme. Transparenca dhe përgjegjësia janë elemente kyçe për ndërtimin e besimit të qytetarëve.

Në përfundim e përmbyll me këto fjalë se çdo qytetar duhet të paguajë vetëm për atë që konsumon. Një sistem i drejtë dhe i besueshëm i matjes së energjisë është thelbësor për një shoqëri të drejtë. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet tona të marrin masa konkrete për të hetuar dhe korrigjuar këto probleme, në mënyrë që të garantohet drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Klinë, më 27 mars 2026

Ps: Shiheni njehsorin elektrik të shtëpisë sime – ai tregon orën 2:15, ndërkohë që koha reale është 4:15.