Ndalohet peshkimi në disa pjesë të lumenjve në Klinë deri në vitin 2027

Shoqata e Peshkatarëve Rekreativë Sportivë “Ujëvarat e Mirushës” në Klinë, në bashkëpunim me Federatën e Peshkimit të Kosovës, ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të peshkimit në disa zona të lumenjve në territorin e kësaj komune, shkruan Klina info.

Sipas njoftimit, nga data 1 shkurt 2026 deri më 1 mars 2027 ndalohet peshkimi në një pjesë të lumit Drini i Bardhë në komunën e Klinës. Gjithashtu, ndalesa përfshin lumin Klina, nga Restorant “Lumi” (afër stadiumit të qytetit) deri në pikën ku bashkohet me Drinin e Bardhë.

Po ashtu, në lumin Drini i Bardhë peshkimi ndalohet nga Ura e Haxhisë deri te bazeni i peshqve, në afërsi të hekurudhës.

Shoqata ka bërë të ditur se në këto zona do të vendosen shenja paralajmëruese dhe do të krijohet një rezervat njëvjeçar, me qëllim ruajtjen dhe shtimin e fondit të peshkut.

Për mosrespektim të vendimit janë paraparë gjoba. Peshkatarët me leje do të gjobiten me 200 euro, ata pa leje me 400 euro, ndërsa personat që përdorin rrjeta apo metoda të ndaluara me ligj do të gjobiten me 500 euro dhe ndaj tyre do të bëhet kallëzim në institucionet përkatëse.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë peshkatarëve sportivë që ta mbështesin këtë iniciativë, duke theksuar se qëllimi është mbrojtja e lumenjve dhe ruajtja e peshkut nga keqpërdorimi.

Në njoftim thuhet gjithashtu se iniciativa të ngjashme pritet të ndërmerren edhe në pjesë të tjera të lumenjve në të ardhmen.Klina info