Arrestohet në Llaushë të Skenderajt personi me tri urdhëresa aktive, përdorte identitet tjetër dhe ishte i dënuar me rreth 4 vjet burgim ( EMRI)

Një person i dënuar me burg efektiv është arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Llaushë të Skenderaj, gjatë realizimit të tri urdhëresave aktive të lëshuara nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 10.01.2026, rreth orës 18:00, kur patrulla policore, gjatë një pike kontrolli rutinë, ka ndaluar një automjet Golf 4, ngjyrë e zezë, me targa të Bosnje dhe Hercegovinës.

Fillimisht, drejtuesi i mjetit është identifikuar me letërnjoftim si Asmir Muminović, i lindur më 1997. Megjithatë, pas verifikimeve në sistemin SIPK, Policia ka konstatuar se personi në fjalë figuron me identitet tjetër, Asmir Ajeti, i lindur më 1997 në Grabs të Zvicrës, me vendbanim në fshatin Klinë e Mesme, i njohur më herët për organet e rendit.

Bazuar në urdhëresat gjyqësore në fuqi, i dyshuari rezulton i dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre vjetësh, tetë muajsh dhe dy ditësh, dënim i formës së prerë. Pas arrestimit, ai është dërguar në Burgun e Hajvalisë në Prishtina, ku ka nisur vuajtjen e menjëhershme të dënimit, konfirmojnë burime të sigurta.

Rasti është trajtuar në koordinim me institucionet përkatëse, ndërsa Policia vlerëson se veprimet janë kryer në përputhje të plotë me procedurat ligjore, pa incidente shtesë.