Vërshimet në Klinë, kryetari Zenun Elezaj në terren me ekipet emergjente

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar se sot, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qëndrim Millaku, si dhe drejtorin Qemajl Sejdija, ka vizituar zonat e prekura nga vërshimet, me qëllim të vlerësimit të gjendjes në terren.

Sipas tij, ekipet e angazhuara nga Komuna e Klinës kanë qenë të pranishme gjatë gjithë ditës në terren, duke ndërmarrë intervenimet e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara. Ai ka theksuar se ekziston koordinim i vazhdueshëm mes strukturave komunale për të siguruar reagim të shpejtë dhe efikas.

“Kjo situatë po përcillet në mënyrë të vazhdueshme dhe Komuna e Klinës mbetet në gjendje të plotë gatishmërie për të intervenuar kudo që paraqitet nevoja”, ka shkruar Elezaj.

Kryetari i Klinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe, në rast nevoje, të raportojnë menjëherë te shërbimet emergjente të komunës.