Astrit Desku: Homazh për Bacë Sinanin, simbol i qëndresës dhe sakrificës kombëtare

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me numër 54, Astrit Desku, ka ndarë një postim me tone të fuqishme emocionale dhe historike, kushtuar Bacë Sinanit, axhës së babait të tij, të cilin e cilëson si një burrë që qëndroi drejt në kohë të vështira për Kosovën.

Në postimin e tij, Desku thekson se Bacë Sinani ishte qëndrestar gjatë viteve të komunizmit të egër në Kosovë, aktivist i heshtur por i palëkundur në vitet ’90, si dhe kontribuues i madh në luftën çlirimtare, gjithmonë aty ku kërkohej përgjegjësi dhe sakrificë.

Ai vë në pah edhe kontributin e Bacë Sinanit në arsim, duke rikujtuar se shkolla e ndërtuar në Siqevë në vitin 1992 mban në vete kontributin e tij themelor, si dëshmi e angazhimit për të ardhmen e brezave të rinj.

Sipas Deskut, oda e Bacë Sinanit ka qenë vend takimi për figura kyçe të historisë së fundit të Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe Bekim Berisha – Bekim “Abeja” Berisha.

Në postim përmendet edhe Jetullah Desku, djali i vëllait të Bacë Sinanit, i vrarë nga Armata Jugosllave në vitin 1990, një humbje që, sipas tij, mbeti plagë familjare, por u shndërrua në forcë dhe motiv për qëndresë.

“Patriot, njeri i punës, i angazhimit dhe i përkushtimit për të mirën e shoqërisë dhe të vendit”, shkruan Desku, duke falënderuar për pritjen, fjalën e urtë dhe përkrahjen, ndërsa thekson se këto vlera nuk harrohen.