Marqe Selmanaj dorëzon detyrën pas katër vitesh si Nënkryetare e Komunës së Klinës

Marqe Selmanaj ka njoftuar sot përfundimin e mandatit të saj katërvjeçar si Nënkryetare e Komunës së Klinës, duke e cilësuar këtë periudhë si një rrugëtim të mbushur me sfida, përkushtim dhe parime të palëkundura.

Në një reagim publik, Selmanaj theksoi se përgjatë katër viteve ka ushtruar funksionin me krenari, vendosmëri dhe guxim, duke ruajtur integritetin personal dhe pozitivitetin edhe në momentet më të vështira.

Ajo vlerësoi këtë përvojë si formësuese në aspektin politik dhe njerëzor, duke e konsideruar një dëshmi të betejave të fituara dhe të forcës që, sipas saj, nuk e braktisi asnjëherë.

Selmanaj shprehu mirënjohje ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkëpunëtorëve institucionalë, organizatave dhe qytetarëve, për respektin dhe vlerësimin e treguar gjatë mandatit të saj. Po ashtu, ajo falënderoi asistenten e saj, Vjosa Gjetaj, duke kujtuar edhe figurën e babait të saj, të ndjerin Prenk Gjetaj, ish-kryetar dhe ish-nënkryetar i Komunës së Klinës, të cilin e cilësoi si njeri me vlera të larta.

Në fund, Selmanaj theksoi se beson që gratë dhe vajzat që vijnë pas saj do të bëjnë edhe më shumë, duke nënvizuar se puna me nder dhe dinjitet është mbi çdo strukturë politike.

Aktualisht, Marqe Selmanaj vazhdon angazhimin e saj politik si asambliste në radhët e AAK-së në Klinë.