Kështu do të duket fletëvotimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret në vendvotimet brenda Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.Pas miratimit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se palët e interesuara kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Vendimi i sotëm vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Dokumenti përfundimtar përfshin gjithsej 24 subjekte pjesëmarrëse: 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur.Në mbledhjen e saj të kaluar, KQZ ka miratuar edhe fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është identik në dizajn dhe përmbajtje me atë që do të përdoret brenda vendit.