Skandal në Policinë e Pejës – dosjet mbyllen në sirtarët e stacionit

Një skandal i paprecedentë me mbylljen e lëndëve kriminale është evidentuar në Stacionin e Policisë në Pejë.

KALLXO.com ka zbuluar se gjatë këtyre ditëve Policia në këtë stacion është përfshirë në një hetim të gjerë i cili synon të zbulojë një abuzim në masë të gjerë me hetimet e rasteve penale të cilat ishin deponuar në polici.

Siç mëson Kallxo.com iniciuesit e hetimit kanë dyshime se menaxhmenti i këtij stacioni dhe hetuesit prej viti 2012 e deri në vitin 2023 kanë shmangur obligimin që t`i dërgojnë rastet e hapura në stacion në Prokurorinë e Pejës duke i mbajtur lëndët në sirtarët e stacionit. Si rrjedhojë rreth 200 raste janë parashkruar ndërsa kryerësit tashmë janë të lirë. Kodi i procedurës penale ka paraparë afatet kohore brenda të cilave një vepër penale mund të hetohet nga Prokuroria e Shtetit.

Baza ligjore kërkon që Policia në afat sa më të shpejtë të dorëzojë në Prokurori kallëzimet penale, mirëpo hetimi i fundit ka ngjallur dyshime se dosjet u mbajtën në Polici pa u dërguar në Prokurori dhe si rrjedhojë rastet janë parashkruar.

Sipas të dhënave të cilat tashmë janë pjesë e një hetimi rreth 200 raste penale, përfshirë raste serioze të vjedhje, vjedhje të rënda, përdorim të armës, lëndim të lehtë trupor, mashtrimit, ngacmimit, sulmit, shmangie nga tarifat doganore, kanosjes, zjarrvënie, ndërtimeve pa leje, dëmtimet e pasurisë se huaj, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, falsifikimin e parave dhe organizimin e bixhozit të paligjshëm, janë mbajtur në sirtarët e Policisë pa u dërguar me kallëzime penale apo raporte në Prokurori.

Inicimi i hetimit për këtë skemë të dyshimtë në Polici siç mëson Kallxo.com është bërë krejt rastësisht gjatë një hetimi penal nga Prokuroria e Pejës. Në muajt e fundit të vitit 2024 Policia e Pejës kishte dorëzuar një rast në Prokurorinë e Pejës dhe rasti pas Kallëzimit doli se ishte i parashkruar.

Sipas një dokumenti që e ka zbuluar Kallxo.com prokurori Dorian Juniku kishte zbuluar se lënda e parashkruar u dorëzua në Prokurori jashtë çdo afati dhe kjo inicioi një hetim të gjerë mbi dosjet. Kur ky rast ishte konstatuar prokurori kishte kërkuar një hetim nga stacioni i Policisë për të kuptuar rrjedhën e këtij procesi.

“Sipas kërkesës së komandantit të stacionit Policor në Pejë, Kapiten Idriz Atashi, ne kemi punuar lidhur me rastet të cilat kanë pushuar një kohë të gjatë dhe që kanë qenë të hapura në sistemin informativ të Policisë. Arsyeja e kësaj kërkese ka qenë se pas procedimit të Kallëzimit Penal në Prokurorinë e Pejës më datë 19.11.2024 të një lënde, kemi pranuar email nga Prokurori i Shtetit z.Dorian Juniku, i cili na ka njoftuar se Kallëzimi Penal i parashtruar kundër një të pandehuri me dyshimin e arsyeshëm se i njëjti kishte për të kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, pas shqyrtimit të Kallëzimit penal dhe shkresave të bashkangjitura, Prokurori i Shtetit ka gjetur se në rastin konkret ka kaluar afati i parashkrimit të ndjekjes (Parashkrim absolut) dhe ka kërkuar që të bëjmë vlerësimet lidhur me ndonjë shkelje eventuale të ndonjë zyrtari policor nga sektori i hetimeve në Pejë. Ka qenë pikërisht vërejta e dhënë nga Prokurori i Shtetit arsyeja që ne kemi ndërmarrë veprime dhe kemi përpiluar këtë listë të rasteve”, thuhet në raportin informues të Policisë së Pejës.

Më datë 19 nëntor 2024 prokurori i kishte dorëzuar një shkresë Policisë me kërkesë për të verifikuar informacionet nëse në dollapët e Policisë kishte lëndë të tjera të ruajtura në këtë formë. Tre muaj më vonë menaxhmenti i Policisë ishte përngjitur me një listë të gjatë të rasteve që ishin ruajtur në dollapët e Policisë. Sipas raportit të dorëzuar në Polici janë 194 raste që ishin konstatuar si të tilla. Madje raporti konstaton se ka disa raste që janë të hapura por dosjet nuk janë fizikisht në Polici.

Në vazhdën e kërkimeve të rasteve ne kemi arritur që të përpilojmë një listë të rasteve. Në këtë listë e cila do i bashkëngjitet këtij raporti informues do gjeni raste të cilat janë të hapura mirëpo të njëjtat nuk janë gjendur fizikisht, pra mungojnë shkresat e lëndës përkatëse. Kam kërkuar nga Administrata e Hetimeve të verifikohen rastet të cilat janë të hapura në librat dhe arkivën e hetimeve në Stacionin e Policisë së Pejës. Andaj, zyrtari policor N. N. na ka prezantuar këtë listë. Në këtë listë është numri i rasteve, lloji i veprës penale, data kur zyrtari policor është ngarkuar me rastin për të hetuar si dhe emri i hetuesit. Rastet të cilat janë të hapura, janë të periudhës kohore 2012-2023”- thekson raporti informues.

I iniciuar në shkurt të këtij viti, raporti informues për Prokurorinë ende nuk ka një rezultat final me aktakuzë apo arrestime të personave përgjegjës. Kallxo.com ka kuptuar se me skandalin për disa muaj është duke u marrë edhe Prokuroria e Pejës edhe Inspektorati Policor i Kosovës, mirëpo deri më tani personat që punojnë në Polici dhe dyshohet se janë përgjegjës për këto veprime nuk janë suspenduar e as arrestuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës konfirmon se është në dijeni të pretendimeve lidhur me mos-dorëzimin e disa lëndëve nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë, në Prokurorinë Themelore të Pejës. Po ashtu, IPK është duke hetuar edhe disa pretendime të tjera që lidhen me çështje e lëndëve, për të cilat janë ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore në koordinim me Prokurorinë kompetente. Për detaje të tjera lidhur me ecurinë e hetimeve, ju njoftojmë se procedurat janë në zhvillim dhe, për arsye të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor nuk mund të japim informata të tjera në këtë fazë”– thuhet në përgjigjen e Inspektorati Policor të Kosovës.

Përgjigje të ngjashme se janë duke i hetuar këto ka dhënë ka kthyer edhe Prokuroria e Pejës.

Rasti në fjalë është hapur në vitin 2025, pas pranimit të informacionit me Raport Informues nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë dhe është në proces të veprimeve hetimore. Janë identifikuar personat përgjegjës dhe dyshimet e para qëndrojnë në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

KALLXO.com gjithashtu ka kërkuar të marrë një përgjigje nga Policia në Pejë, ata kanë kërkuar sqarime shtesë lidhur me kërkesën tonë, por edhe pasi kemi dërguar numrin e referencës se rastit ata nuk kanë kthyer përgjigje deri ne publikimin e këtij artikulli./Kallxo/