Driton Temaj emërohet përfaqësues, Demir Likaj i bashkohet Motoklubit të Veteranëve të UÇK-së në Klinë

Sot, Driton Temaj është emëruar përfaqësues i Motoklubit të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në degën e Klinës.

Ky emërim vjen në kuadër të angazhimeve të klubit për forcimin e organizimit lokal dhe përfaqësimit të denjë të vlerave të luftës çlirimtare në nivel vendor dhe kombëtar.

Motoklubi përfshin ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe mbështetës të trashëgimisë së saj historike.

Përveç emërimit të Temajt, sot është anëtarësuar edhe një anëtar i ri – Demir Likaj, i cili do t’i bashkohet aktiviteteve të klubit në vazhdim.

Po ashtu, Temaj dhe Likaj janë pritur nga Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, Hajdin Balaj, i cili ka vlerësuar përkushtimin e tyre dhe gatishmërinë për të qenë pjesë aktive në përfaqësimin e trashëgimisë së luftës.

Moto Klubi i Veteranëve të UÇK-së është një iniciativë e nisur nga ish-ushtarë të luftës, përmes të cilës organizohen marshime, ngjarje kulturore dhe pjesëmarrje ndërkombëtare në aktivitete që nderojnë historinë dhe sakrificën për liri.