Kryetari i degës së PDK-së në Klinë dhe njëherit kandidat për kryetar të kësaj komune, Sokol Bashota, ka kujtuar sot veprën dhe sakrificën e dëshmorit të kombit Xhemajl Halil Agushi, nga fshati Drenoc i Klinës, në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.
“Më 18 shtator 1998, në altarin e lirisë ra heroikisht Dëshmori i Kombit, Xhemajl Halil Agushi, nga fshati Drenoc i Klinës. Në moshën më të re, me besimin e pathyeshëm për lirinë e atdheut, Xhemajli dha jetën e tij në luftën kundër pushtuesit, duke u bërë pjesë e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtatori i vitit 1998 mbetet i pashlyeshëm në kujtesën tonë, kur forcat armike nisën një ofensivë të ashpër në mbarë Kosovën, duke marrë jetën e shumë dëshmorëve dhe martirëve. Në ato ditë të zjarrta, ra edhe Xhemajli, bir i Drenocit, bir i Kosovës, duke dëshmuar se liria nuk fitohet pa gjakun e më të mirëve tanë.
Sot, 27 vite më pas, kujtimi për jetën dhe veprën e tij mbetet i gjallë. Ne përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij dhe të gjithë dëshmorëve, që na lanë amanet lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. Lavdi e përjetshme Dëshmorit të Kombit, Xhemajl Halil Agushi!” – ka shkruar Bashota.
Dëshmori i Kombit Xhemajl Halil Agushi ra më 18 shtator 1998, gjatë ofensivës së forcave serbe, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës për liri.