Njoftim: Ndërprerje e përkohshme e Shërbimeve Laboratorike në QKMF “Nënë Tereza” për shkak të defektit teknik

Njoftim për qytetarët e Komunës së Klinës

Sot, më datë 31 korrik 2025, në objektin e QKMF “Nënë Tereza” – Klinë ka ndodhur një defekt teknik si pasojë e një rrjedhjeje uji nga kati i dytë, e cila ka përfshirë pjesërisht hapësirat e laboratorit.

Si masë sigurie, dhe për të mbrojtur aparaturat laboratorike si dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga energjia elektrike, është marrë vendim që shërbimi laboratorik të ndërpritet përkohësisht gjatë ditës së sotme.

Pavarësisht kësaj situate, stafi ynë ka arritur të realizojë analizat hematologjike për pjesën më të madhe të pacientëve. Ndërsa pacientët që kanë pasur nevojë edhe për analiza biokimike janë ri-programuar për nesër, ose më së largu për të hënën.

Aktualisht, ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë me përkushtim për rikthimin e plotë të funksionit të laboratorit, me të gjitha pajisjet në kushte të sigurta dhe sipas standardeve të garantuara.

Laboratori i QKMF “Nënë Tereza” mbetet një nga pikat kyçe të diagnostikës në komunën tonë, duke ofruar çdo ditë analiza të avancuara dhe me cilësi të lartë – falë aparaturave moderne dhe stafit tonë të përkushtuar profesional.

Një falënderim i veçantë shkon për stafin teknik, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, si dhe për stafin shëndetësor të laboratorit, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!

Me respekt,
Drejtoria e QKMF “Nënë Tereza” – Klinë