Sokol Bashota kujton dëshmorin Kolë Ndrecë Mirdita në 27-vjetorin e rënies heroike

Me rastin e 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, ka reaguar edhe kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, z. Sokol Bashota, i cili me fjalë të ndjera ka nderuar kujtimin dhe veprën e dëshmorit.

Përmes një postimi publik, Bashota e përshkroi rënien e Kolës si një akt të lartë sakrifice dhe përkushtimi ndaj kombit:

“Kolë Ndrecë Mirdita në ditën e sotme, 27-të vjet më parë, nën peshën e armëve që sillte për mbrojtjen e vendit nga gjakatarët, por edhe me peshën e përkushtimit ndaj atdheut, duke e lënë vazhdimisht jetën e tij të njomë në dispozicion të tij, bie heroikisht, pikërisht në kufirin më të padrejtë e më të imponuar brendashqiptar, për të shtuar numrin e bijve më të devotshëm të popullit në altarin dhe piedestalin e nderit dhe pietetit të pavdekshëm.”

Në përvjetorin e rënies së tij, Bashota vlerësoi lart figurën e Kolë Mirditës, si një nga bijtë më të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me jetën e tij të re kontribuoi në themelet e lirisë së sotme.

“I pavdekshëm qoftë kujtimi dhe lavdia për dëshmorin Kolë Ndrecë Mirdita,” – përfundon postimi i tij.

Dëshmori Kolë Ndrecë Mirdita ra më 9 korrik 1998, në vendin e njohur si “Rrasa e Zogut”, duke u kthyer nga Shqipëria me armë dhe municione për radhët e UÇK-së. Ai u vra gjatë një prite të forcave armike, duke dëshmuar vendosmërinë dhe guximin për mbrojtjen e atdheut.