Para se Donald Trump të miratonte sulmet ndaj bazave bërthamore iraniane, Republika Islamike kishte paralajmëruar që, nëse një gjë e tillë ndodhte, atëherë do të kishte hakmarrje.
Tani që sulmi u krye, Irani mund të përdorë raketat balistike për të goditur bazat amerikane në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe.
Sipas një vlerësimi të publikuar në “New York Times”, rrezja e raketave balistike të Iranit arrin fare pranë Shqipërisë, pasi kap pjesën më të madhe të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesa kryesore e raketahedhësve të Iranit janë të lëvizshëm, çka i bën ato që të kenë mundësi të pozicionohen në pika të ndryshme, për të përfituar maksimalisht.
Kjo bën që një pjesë e mirë e bazave amerikane të jenë brenda rrezes së raketave balistike iraniane.
Pas sulmeve amerikane, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të “hedhin në erë” diplomacinë. “Javën e kaluar, ishim në negociata me SHBA-në kur Izraeli vendosi të hedhë në erë atë diplomaci. Këtë javë, zhvilluam bisedime me E3 (grupi i ministrave europianë) kur SHBA vendosi të hedhë në erë atë diplomaci”, shkroi Araghchi në X.
“Për Britaninë dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezë. Por si mund të kthehet Irani në diçka që kurrë nuk e ka lënë, e jo më ta ketë shkatërruar vetë?”, tha ai.