Mbrëmë janë zhvilluar ndeshjet e para të xhiros së dytë në kuadër të turneut tradicional në nderim të heroit Mujë Krasniqi dhe dëshmorëve të Klinës. Ky turne, i cili tashmë është kthyer në një traditë, solli spektakël të vërtetë, emocione të shumta dhe një pjesëmarrje të madhe të tifozëve në tribunat e palestrës “Adem Jashari”.
Atmosfera ishte e zjarrtë, me ndeshje të forta dhe rivalitete të bukura, që dëshmuan një nivel të lartë të garës sportive.
Organizatorët kanë paraparë edhe shpërblime të rëndësishme për pjesëmarrësit: vendi i parë do të shpërblehet me 3.000 euro, vendi i dytë me 1.000 euro, golashënuesi më i mirë me 100 euro dhe po ashtu portieri më i mirë me 100 euro.
Finalja e madhe do të zhvillohet më 18 qershor, duke filluar nga ora 20:00. Përveç ndeshjeve, pritet të ketë edhe performanca muzikore me emra të njohur të skenës shqiptare, në një organizim madhështor.
Ftojmë të gjithë qytetarët e Klinës dhe dashamirët e sportit që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe sportive, në nderim të të gjithë dëshmorëve që ranë për liri. Prania juaj e bën edhe më të veçantë këtë turne, që përçon frymën e unitetit, respektit dhe krenarisë kombëtare.