Sot, në përvjetorin e rënies së dy prej bijve më të lavdishëm të kësaj ane, u përkujtuan me respekt dhe nderim dëshmorët e kombit Arif Berisha nga Qeskova dhe Selman Racaj nga Siqeva.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, theksoi rëndësinë që ka ruajtja e kujtimit për dëshmorët, duke i cilësuar ata si “emra të pashuar në historinë tonë”.
“Arifi, i biri i Ramë Berishës nga Qeskova, iu përgjigj kushtrimit të lirisë në vitin 1998. Me vullnet e guxim të madh, bashkë me trima të tjerë të kësaj ane, kapën armët dhe luftuan për liri,” shkroi Elezaj, duke kujtuar sakrificën e Arifit, i cili ra dëshmor më 24 maj 1998, vetëm pak ditë para se të mbushte 30 vjet.
Kryetari Elezaj gjithashtu përkujtoi edhe rënien e dëshmorit Selman Racaj, i cili një vit më vonë, po në të njëjtën ditë, më 24 maj 1999, dha jetën në altarin e lirisë.
“Për trimat e UÇK-së, rënia e shokëve të luftës ishte e rëndë. Megjithatë, ata nuk u dorëzuan, nuk u zmbrapsën. Vazhduan betimin për liri, luftuan me nder e guxim,” shkroi ai.
Duke përfunduar mesazhin e tij, Elezaj u shpreh:
“Sot e gjithmonë do t’i kujtojmë dhe nderojmë për sakrificën dhe heroizmin. Gjaku i tyre e solli lirinë. Lavdi përjetë!”