30 mijë euro dyshohet se i pagoi Naim Murseli për vrasjen e gruas së tij

Policia e Kosovës njoftoi se tashmë janë arrestuar dy persona për vrasjen e rëndë të 33-vjeçares, Liridona Murseli natën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. E ndjera është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, ku fillimisht u dyshua se çifti së bashku me fëmijët u përballën me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas kanë shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridonën, raporton Gazeta Sinjali.

Hetimet e vazhdueshme të Policisë kanë zbardhur detaje nga skena e krimit, kështu duke rënë në pranga vetë Murseli si dhe i dyshuar tjetër, i cili siç merr vesh Sinjali nga burimet e veta është Granit Plava.

Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.

Sinjali po ashtu mëson se Granit Plava është bashkëfshatarë me Naim Murselin, i cili për ta kryer vrasjen dyshohet se u pagua 30.000 euro nga Murseli.

Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.