17 shkolla në Klinë po bëhen me kabinete dhe pajisne kabinetike

Enver Gashi, drejtor i Arsimit në Komunën e Klinës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se shkollat e kësaj komune krahas investimeve në përmirësimin e kushteve infrastrukturore në shkolla po vazhdon edhe pajisjen e shkollave me kabinete.

Ai tutje ka shtuar ky është një investim nga buxheti komunal dhe kap një vlerë investimesh mbi 28 mijë euro.

Ky është postimi i plotë:

INVESTIM I RËNDËSISHËM NË SHKOLLAT E KOMUNËS SË KLINËS

Në kuadër të realizimit të investimeve dhe projekteve në fushën e arsimit, Komuna e Klinës krahas investimeve në përmirësimin e kushteve infrastrukturore në shkolla po vazhdon edhe pajisjen e shkollave me kabinete, pra po investohet në fushën që drejpërdrejt ndikon në rritjen e nivelit të cilësisë në arsim me proritet shkencat e natyrës.
Në kuadër të këtyre projekteve dhe planifikimeve, sot janë pranuar pajisjet për kabinete të fizikës, nga i cili projekt kanë përfituar 17 shkolla.
Ky investim do të ndikojë në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, shkathtësive dhe kompetencave të nxënësve në fushën kurrikulare të shkencave dhe do të krijohen mundësi më të mira që njohuritë teorike të demonstrohen në praktikë që nxënësit t’i konceptojnë sipas standardeve të kohës fenomenet dhe ligjësitë natyrore. Së shpejti këto shkolla do të pajisen edhe me kabinete të biologjisë e të kimisë.
Ky është një investim nga buxheti komunal dhe kap një vlerë investimesh mbi 28 mijë euro për pajisjen e shkollave me kabinete dhe pajisje kabinetike për fushën kurrikulare të shkencave të natyrës.