11,551 raste aktive me coronavirus, paralajmërohen masa të reja për fundvit

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 46.909 raste nga 164.548 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.203 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 34.155 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.551.

Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se masat e marra sipas kategorizimit të komunave kanë dhënë efekt dhe sipas tij është e domosdoshme të vazhdohet tutje me ato masa, teksa paralajmëroi se do të marrin masa të reja për fundvit.

Kështu është shprehur ai pas takimit virtual me kryetarët e komunave, ku u bë vlerësimi i situatës epidemiologjike.

“Në takimin virtual me kryetarët e komunave, kemi bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në vend si dhe një bashkërendim se si të ecim tutje në këtë dy javët e fundit të vitit. Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa. Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket  mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë”, ka shkruar Zemaj.

Ai paralajmëroi se masa të reja do të merren për fundvit.

“Ne e kemi obligim ligjor, obligim ndaj qytetarëve, secili në përgjegjësit e veta, në radhë të parë ta ketë ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, si prioritet mbi prioritetet. Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti COVID për fund vit”, shkruan ai.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka dhënë detaje nga takimi me kryetarët e komunave dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku është diskutuar për masat e reja antiCOVID-19.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë “në këtë takim, u dakorduam se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes”.