​Për 11 ditë, 118 kosovarë vdiqën nga Covid-19

Nga data 1 gusht në Kosovë si pasojë e infektimit me koronavirus kanë humbur jetën 118 kosovarë.

Vetën gjatë ditës së djeshme IKSHPK-ja njoftoi për 13 vdekje të reja dhe 171 raste pozitive, shifra këto alarmante.

Nga 13 marsi kur edhe u shënuan rastet e para në Kosovë, janë shënuar 354 raste të vdekjeve, ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar mbi 10 mijë.

Teksa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.248 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.988.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 463 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 171 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 10.590 raste nga 41.615 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 354 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 190 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.248 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.988”, thuhet në raportin e fundit të IKSHPK-së.