Zyrtarët e Komunës së Gjakovës të dyshuar për skandal milionësh – dyshohet se kaluan prona publike dhe fetare te persona privatë

Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive lidhur me arrestimin e katër zyrtarëve të Komunës së Gjakovës, të cilët po hetohen për një rast të rëndë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, që përfshin manipulime me prona publike dhe fetare në vlerë rreth 1 milion euro.

Të arrestuarit janë: Arben Bakalli, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Afërdita Lama, ish-Drejtoreshë e Kadastrës, tashmë në pension, Elida Bejtullahu, udhëheqëse e Sektorit Urbanistik, Arianit Kupa, zyrtar ligjor në të njëjtën drejtori.

Sipas dosjes hetimore, zyrtarët dyshohen se në periudhën 2018-2019, kanë lëshuar vendime dhe pëlqime të kundërligjshme për parcelimin dhe bartjen e pronave te persona të tretë, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarëve legjitimë.

Prona që dyshohet se është përfshirë në këtë rast përbëhet nga: Rrugë publike (pronë shoqërore) – 12 m², Pronë komunale – 280 m², Pronë e Këshillit të Bashkësisë Islame – 168 m² + 599 m² = 767 m², Totali: 1059 m², me vlerë tregu afërsisht 1,000,000 euro.

Hetimet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Drejtoria Qendrore në Prishtinë dhe nën autorizim të Prokurorit të Shtetit.

Pas sigurimit të provave dhe intervistimit të tyre në prani të avokatëve mbrojtës, të katërt janë ndaluar për 48 orë.

Rasti mbetet në hetim, ndërkohë Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë mbi këtë skandal që ka tronditur administratën komunale të Gjakovës