Zv/sekretari i NATO-s: Momentalisht nuk ka konsensus për anëtarësimin e Kosovës

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana thekson se NATO respekton vendimet e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur politikën e tyre të jashtme.

Por, ai është shprehur se aktualisht s’ka konsensus brenda Aleancës Veri Atlantike për aspiratën e Republikës së Kosovës për anëtarësim.

“Siç e dini, nuk ka konsensus për momentin për një lëvizje të tillë të mundshme nga NATO. Aktualisht jemi duke bashkëpunuar me Kosovën përmes një partneriteti që respekton situatën specifike”, ka thënë ai në një intervistë prë Tanjugun Serb.

Geoana këtë deklaratë e ka bërë para samitit të ardhshëm të NATO-së që do të mbahet në Madrid nga 28 deri më 30 qershor.

Nisur nga situata delikate e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, krerët e shtetit të Kosovës kanë theksuar aspiratat për tu bërë pjesë e NATO-s.

Autoritetet  kosovare kanë kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO.

Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës mori vendim që të themelojë grupin punues ndër-institucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike NATO. Grupi do të kryesohet nga ministrja e Jashtme, ndërsa, anëtarë do të jenë ministri i Mbrojtjes, ai i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, ndërsa një grup përfaqësues do të ketë nga Presidenca, Kryeministria, Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ajo në SHBA.