Zenun Elezaj përkujton 27-vjetorin e Masakrës së Pastaselit: Plagë që ende kullon, drejtësia mungon

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

Në një postim publik, Elezaj rikujtoi se më 31 mars 1999, forcat serbe masakruan 106 civilë shqiptarë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, duke e përshkruar këtë krim si një plagë që vazhdon të dhembë edhe sot.

Ai theksoi se në mesin e viktimave ishin edhe 14 qytetarë nga kjo zonë: Hajzer Hamit Hajzeraj, Mursel Murat Bojaj, Tafil Banush Gashi, Jakup Beqir Raci, Niman Demir Mulaj, Sokol Ramadan Isaj, Brahim Ramadan Isaj, Ilaz Hysen Gashi, Ukë Sinan Gashi, Tahir Adem Kalludra, Osman Hajdar Merlaku, Haxhi Jemin Zenunaj, Binak Ismet Gashi dhe Armend Osman Mërlaku.

“27 vjet pas, ne vazhdojmë të jetojmë me dhimbjen për martirët e kombit. Kjo dhimbje bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë se ende askush nuk është gjykuar apo dënuar për këtë krim mizor,” ka shkruar Elezaj.

Ai shtoi se familjarët e viktimave, bashkë me institucionet dhe qytetarët, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të rënët, duke theksuar se vendosja e drejtësisë është thelbësore për paqen dhe të ardhmen.

Në fund, kryetari i Klinës bëri homazhe për viktimat, duke theksuar: “Lavdi e përjetshme për martirët e Pastaselit dhe për të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës.”