Zbrazet fshati Caravik i Klinës, të rinjtë të ardhmen e shohin larg Kosovës

Brenda dy javësh nga fshati Caravik i komunës së Klinës janë larguar 10 të rinj nën moshën 18 vjeçare. Kurse gjatë vitit të kaluar nga fshati janë larguar rreth 20 të rinj, që kanë marrë rrugën e vendeve Perëndimore, kryesisht Gjermania dhe Italia,

Kështu deklarojnë banorët e fshatit Caravik, të cilët shprehen se fshati tashmë është zbrazur e problem po bëhet edhe për numrin e pakët të punëtorëve për firmat e ndërtimit.

“Në fshat ka pasur rini të shkëlqyeshme. Të rinj të talentuar e punëtor, por s`ka perspektivë këtu. Rrogat e vogla, s`ka siguri në punë as në shëndetësi, se rrugë, rrymë e kanalizim i kemi krejt. Këta të rinjtë s`po e shohin të ardhmen këtu. Fshatit i ka hupë hijeshia. Jemi mbetë ma shumë veç pleq. Dy djem i kam, dytë i kam në Gjermani”, tha A.D., banor i fshatit.

Ata po gjejnë mënyra të ndryshme për të siguruar një qëndrim në vendet Perëndimore. Së fundi rrugën e Perëndimit po e marrin edhe të rinj të diplomuar, por që për një kohë të gjatë kanë qëndruar pa punë.

Rast i tillë është ai i Liburn Dakajt, i diplomuar në drejtimin për Gjuhë Angleze në Universitetin e Prishtinës. Dakaj kishte punuar për rreth katër vite në një kompani të aviacionit, por pas falimentimit të saj ai kishte mbetur i papunë për një vit. Edhe pse kishte kërkuar punë, askund nuk ishte pranuar. Si pasojë e kësaj ai para një muaji ka emigruar për në Gjermani.

“Si një djalë i ri, me një përvojë punë në aviacion, i përgatitur nga trajner profesional slloven, me një anglishte të shkëlqyer po ashtu edhe disa gjuhë të tjera, fatkeqësisht nuk mjaftuan që unë të gjej punë”, thotë i dëshpëruar Dakaj.

Problem po bëhet edhe për numrin e nxënësve në shkollën fillore të fshatit, ku numri i nxënësve ka rënë dukshëm dhe disa mësues kanë numër të vogël të orëve.

Banorët po ankohen edhe për mungesën e ujit. Shumë nga ta detyrohen në sigurojnë ujin duke e blerë ose jua siguron komuna nëpërmjet cisternave.

Por problemi i ujit duket se do të i zgjidhet gjatë vitit tjetër, pasi me financim të CDI-së është planifikuar që të sigurohet uji për fshatin Caravik dhe 12 fshatra tjera të Komunës së Klinës./?????? ??????