​Të reshurat e shiut vështirësojnë qarkullimin në disa vendbanime në Klinë

Komuna e Klinës ka njoftuar se ka rritje në rrjedhën e lumit “Klina”, ku edhe gjendja është më problematike mbi urat e këtij lumi në fshatrat Shtaricë, Gjurgjevik i Madh dhe Pogragjë, dhe rritja e nivelit të reshjeve mund të sjellë deri në mbylljen e këtyre rrugëve.

Po ashtu, lumi “Mirusha” ka filluar të dalë nga shtrati, duke prekur disa biznese dhe familje nga vërshimet.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, mbrëmë deri në orët e vona kanë vizituar disa fshatra, ku kanë parë nga afër situatën e krijuar pas të reshurave të shiut që po vazhdojnë edhe tani.

“Si institucione lokale, në bashkëpunim me shërbimin e emergjencave dhe zjarrfikësit jemi duke u përpjekur maksimalisht në mënyrë që gjendja mos të përkeqësohet. Edhe në këto momente jemi duke vazhduar vizitat në disa fshatra për të parë gjendjen e krijuar.

Apelojmë qytetarët për rritje të kujdesit gjatë qarkullimit me vetura, ndërsa ata që kanë nevojë për intervenim duhet të lajmërojnë shërbimin e zjarrfikësve, policinë dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente.” – ka thënë Elezaj gjatë këtyre vizitave.