VV në Klinë nga nesër fillon mbledhjen e nënshkrimeve për peticion

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë ka bërë të ditur se prej nesër do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion, përmes së cilit kërkohen zgjedhje të reja.

Nga data 2 qershor, bëhet e ditur se në qendër të Klinë do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve.

PETICION: DUAM ZGJEDHJE!

Të dashur qytetarë të Komunës së Klinës

Kosova, prej 3 shkurtit 2020, e pati një qeveri të re e të mirë. Ajo zvogëloi veten e forcoi shtetin. Me reciprocitet e dinjitet në politikën e jashtme, me luftën kundër korrupsionit në borde e administratë, me transparencë e mirëmenaxhim, Qeveria Kurti e fitoi besimin e qytetarëve si asnjë qeveri më përpara. Këtë e kanë vërtetuar dhe matjet e opinionit publik të UNDP-së.

Por kjo qeveri u rrëzua me mocion mosbesimi në 25 mars 2020, ku partitë e vjetra e presidenti u bënë bashkë për ta ndalur ndryshimin. Sipas Kushtetutës dhe precedentëve, vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja, por një vendim skandaloz dhe i dyshimtë i Gjykatës Kushtetuese, i hapi rrugën një qeverie e cila për herë të parë do të krijohej pa zgjedhje prej humbësve të zgjedhjeve dhe partive e njerëzve që nuk gëzojnë as mbështetje e as legjitimitet.

Ne kemi filluar peticion duke mbledhur nënshkrime në kërkim të zgjedhjeve të reja si e vetmja mënyrë e daljes nga kjo krizë.

Nga nesër, 2 qershor 2020, gjatë gjithë javës, prej orës 10:00 deri në orën 17:00 do të jemi në zyre në mbledhjen e nënshkrimeve për peticion.

Ju ftojmë ta nënshkruani.

SHARE