Vuçiq: E di çmimin që do ta paguaj – por s’ka dorëzim

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se mesazhi i tij përmbyllës është që nuk do të dorëzohet dhe se është i vetëdijshëm që për këtë qëndrim do të paguaj çmim personal.

“Mesazhi im është se nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim. Është vendim i shtetit dhe të gjithë ata që vijnë tek unë duhet ta dinë këtë. Unë nuk jam i shqetësuar për çmimin që do të paguaj personalisht”, tha Vuçiq në deklaratën drejtuar publikut në Serbi.

Vuçiq gjithashtu ka thënë se “do t’i dërgojmë letër komandantit të KFOR-it, me të cilën do të kërkojmë kthimin e forcave tona të sigurisë në Kosovë”.

“Vendimi i Qeverisë, në përputhje me atë që u dakorduam me kryeministren (Ana Brnabiç) sot, do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiç duke shtuar se “kërkesa do të refuzohet, edhe pse duhet pranuar”.

“Por është mirë që një ditë nuk do të mund të thonë se nuk kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë Qeveri nuk guxoi të kërkonte”.

Gjithashtu, presidenti serb ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për të aplikuar në Bashkimin Evropan, gjë që, sipas tij “përbën shkelje të Marrëveshjes së Uashingtonit”.

“Sot u dërgova një letër presidentëve dhe kryeministrave të pesë vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e BE-së, sepse vetëm shtetet e pavarura dhe sovrane mund të kërkojnë pranim, jo ​​ato që nuk njihen nga gjysma e botës”, pretendoi ai.