Vrasja me eksploziv e policit kosovar, zbardhen detaje shokuese: Gruaja dhe motra e saj mes të dyshuarve

Ngjarja që tronditi Kosovën ndodhi në shtëpinë e Iran Badallajt, i cili po kërkohej nga njësiti antidrogë. Pas varsjes së Iran Badallajt i dyshuar për këtë rast është edhe miku i tij Arben Gashi.

Kanë kaluar shtatë muaj nga dita kur është vrarë me eksploziv polici Sami Thaçi në Zhur të Prizrenit.

Prokuroria e Prizrenit ka intervistuar dhjetëra persona të përfshirë në ngjarjen e 28 janarit.

Si të dyshuara janë gjithashtu edhe gruaja e Badallajt dhe motra e saj, të cilat janë intervistuar nga Prokuroria.

Këtë e konfirmoi edhe prokurori i çështjes, Metush Biraj.

“Janë si të dyshuara edhe gruaja dhe kunata e Iran Badalajt, të cilat janë intervistuar nga ne, dy persona janë akoma në paraburgim”, tha Biraj.

Biraj thotë se janë duke punuar intensivisht për të finalizuar rastin në fjalë, por sipas tij pengesë ishte edhe pandemia për të mbyllur më shpejt hetimet.

“Pesë persona janë të dyshuar, dy janë në paraburgim, është situatë e ndjeshme dhe nuk mundem të jap asgjë konkretisht sepse është rast sensitiv. Jemi duke punuar intesivisht, por ju e dini për shkak të pandemisë kemi pas telashe, jemi në aktivitet në veprime të vazhdueshme”, shtoi Biraj.

Po ashtu Biraj thotë se pritet që të intervistohet edhe zyrtari policor i Kosovës, Artur Mrasori, i cili tashmë është kthyer në Kosovë pas trajtimit mjekësor në Turqi, ku ishte dërguar pas lëndimeve serioze të marra gjatë këtij operacioni policor.

“Do të intervistohet edhe zotëri Mrasori shumë shpejt”, ka përfunduar Biraj.

Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Iran Badallajt, i cili po kërkohej nga njësiti antidrogë.