Vdiq nga koronavirusi në Novi Pazar, varroset në Gjakovë

Sot në mesditë në Gjakovë është varrosur personi që ka ndërruar jetë nga koronavirusi në Novi Pazar të Serbisë.

Sipas raportimeve të mediave serbe, personi në fjalë ka qenë pacienti zero [pacienti i parë] me Covid-19 në Novi Pazar.

Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me familjarët e të ndjerit, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se familja e ngushtë e tij jeton në Novi Pazar. Anëtarët e familjes së gjerë që jetojnë në Gjakovë nuk kanë dashur të flasin rreth këtij rasti.

Në ndërkohë, pak më shumë detaje rreth këtij rasti ka dhënë ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjakovë Ferdinand Kolaj në Edicionin Special në Klan Kosova.

“Sot në qytetin e Gjakovës është varrosur një qytetar që jetonte dhe vepronte me familjen e tij në Novi Pazar. I ndjeri ka vdekur nga koronavirusi. Inspektorati Sanitar i Komunë së Gjakovës në koordinim me Inspektorin Sanitar të Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve përgjegjëse për raste të tilla është kryer varrimi”.

“Në varrim ka qenë një numër shumë i vogël i qytetarëve, sepse familja e ngushtë e të ndjerit nuk jeton këtu. Kanë marrë pjesë disa anëtarë të rrethit më të gjerë të familjes, por një numër shumë i vogël – ashtu siç edhe është kërkuar në raste të tilla”.

Kolaj ka thënë se nuk ka arritur të marrë shumë informacione lidhur me këtë rast dhe nuk e di nëse i ndjeri ka pasë edhe ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese.

“Ka qenë shumë vështirë të kemi informata të sakta, sepse anëtarët e familjes së ngushtë nuk jetojnë këtu. Kam provuar të kontaktoj me anëtarë të rrethit më të gjerë të familjes të cilët më kanë dhënë disa informata, por jo shumë hollësi. Sigurisht se mund të jetë edhe dikush nga familja e tij që është i prekur me Covid-19”.

Mediat serbe kanë raportuar se i ndjeri ishte 58 vjeçar dhe ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar. Sipas këtyre raportimeve, i njëjti ka jetuar në Novi Pazar ku ishte pronar i një rrjeti të gjerë të furrave dhe është me prejardhje nga Hasi.

I ndjeri ishte infektuar me koronavirus në Sllovaki dhe Kroaci ku ka qenë në vizitë. Ai është kthyer në Novi Pazar para se Serbia të merrte masat lidhur me parandalimin e pandemisë, prandaj edhe nuk është karantinuar për dy javë – sipas mediave serbe.