Vdes gjakovarja shtatzënë nga koronavirusi

Pacientja shtatzënë e prekur nga COVID-19 që ishte e shtruar në Klinikën Infektive ka vdekur mëngjesin e sotëm.

Këtë lajm e ka konfirmuar, Ferdinand Kolaj drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës.

Ndryshe, infektologja Arjeta Zogaj-Berisha, mjeke në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka deklaruar dje se në këtë klinikë po trajtohen 153 pacientë me Coronavirus, ndërsa në pritje të rezultateve janë edhe 7 pacientë të tjerë, transmeton Indeksonline

Ajo ka treguar se 11 pacientë janë me oksigjeno-terapi, në gjendje pak më të rëndë, kurse dy të tjerë janë të intubuar, pasi janë në gjendje kritike.

“Në klinikë gjenden 53 raste pozitiv me Coronavirus. 11 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe dy të tjerë të intubuar”, ka thënë ajo.

Zogaj-Berisha ka treguar se në intubim janë një grua shtatzënë nga Gjakova dhe një pacient nga Prizreni.

Ajo ka shfaqur shpresën se gruaja shtatzanë do ta përballojë sëmundjen dhe se foshnja e saj është me shëndet të mirë.

“Me parametra është stabile. Shpresojmë që të kalojë më mirë, por nuk mund të flasim me siguri derisa ajo është e intubuar. Gjinekologët që i kemi konsultuar na kanë thënë se foshnja është mirë“, ka thënë ajo.

Infektologia ka thënë se ende nuk dihet numri i pacientëve të shëruar që mund të lirohen nga spitali.

“Të shëruar ka, por nuk e kemi marrë numrin e saktë, sepse duhet të testohen edhe për herë të dytë”, ka thënë ajo

Zogaj-Berisha ka thënë se në stafin e Klinikës Infektive nuk ka raste të reja me koronavirus.

“Nuk kemi raste të tjera tek stafi. I kemi katër infermiere të shëruara, një është duke pritur testimin e dytë. Nëse edhe kjo del negative, atëherë do t’i kemi pesë të shëruar nga Covid-19”, ka thënë ajo