Ushtari i UÇK-së ishte shpallur i vdekur gjatë luftës në Koshare, u kthye i gjallë në shtëpi pas luftës

Agnon Lubovci është ish-ushtari i Batalionit II të Brigadës 138 së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ka një histori të jashtëzakonshme. Përvoja e Lubovcit në fakt është vet historia e Kosovës – sa tragjike po aq dhe heroike – është rrëfimi për vdekjen dhe ringjalljen e serishme të një njeriu dhe të një populli.

Agnon Lubovci nga Suhareka i ishte bashkuar radhëve të vullnetarëve të UÇK-së në pranverën e vitit 1999. Për disa javë ai kishte kryer stërvitje ushtarake në kampin e Burrelit në Shqipëri dhe pa vonuar ishte nisur drejt frontit të luftës, duke u rreshtuar në Batalionin II të Brigadës 138, në Koshare.

“Në UÇK kom hi në vitin 1999, nga Maqedonia, e mandej në Shqipëri, në Burrel, me grupin e Burrelit. Nga aty kemi shku grupi i parë me Afrim Shalën, Bekim Elshanin, Luan Bytyçin, Xhevat Krasniqin etj. Në Koshare kemi hy pas thyerjes së kufirit, kemi qene grupi e parë dhe momentin që kemi mbërri një ditë kemi pushu në Padesh dhe pastaj kemi shku te Rrasat e Koshares, si ushtar i Afrim Shalës e Fadil Hadërgjonajt”, nis qetësisht rrëfimin e tij Agnon Lubovci.

Pas Betejës së Koshares, më 9 prill 1999 – e cila betejë shënon dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, orvatjet e ushtrisë serbe për ta rimarrë Kosharen kishin qenë të pandërprera. Forcat serbe sulmonin pozicionet e UÇK-së përgjatë tërë vijës së kufirit, por pa sukses. Djemtë e UÇK-së nuk sprapseshin. Edhe pse pati një numër të madh ushtarësh të vrarë, vullneti i luftëtarëve të UÇK-së për të çarë përpara, ishte shumë i madh.