Urdhri operativ “Goditja”, policia arrestoi 14 persona të kërkuar nga gjykatat

Policia e Kosovës njofton se gjatë dy ditëve të zbatimit të urdhrit operativ ‘Goditja’ janë angazhuar 823 patrulla policore të njësive të ndryshme policore dhe janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera që lidhen me ofrimin e sigurisë.

Sipas policisë, urdhrit operativ ‘goditja’ ka për qëllim shtimin e aktiviteteve dhe patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.

“Më 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë regjistruar këto të dhëna: Janë angazhuar 823 patrulla policore (të njësive të ndryshme policore), janë vendosur e realizuar 871 Pika për Kontrollin e Automjeteve (PKA), janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkootest, janë kontrolluar 4848 vetura, janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 19 armë të ndryshme, janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera që lidhen me ofrimin e sigurisë etj”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se policia do të vazhdojë aktivitetet në realizim të detyrave që dalin nga urdhri që është në zbatim e sipër.