UP njofton se nuk do të ketë afat të prillit për provime

Menaxhmeti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar studentët dhe stafin, se pas situatës me pandeminë Covid-19, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë, transmeton IndeksOnline.

“Njëherësh, ashtu siç jeni njoftuar zyrtarisht, Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në muajin qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Deri atëherë,  të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme.

“Menaxhmenti i UP-së garanton, që të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi”, përfundon 
komunikata

SHARE