Ujëvarat e Mirushës: Rikthehet rrjedha, identifikohen faktorët

Llogariten si një prej pikave më atraktive që ka Kosova.

Por, ujëvarat e Mirushës për gati një muaj kanë mbetur tërësisht pa ujë. Një rrjedhë e vogël e ujit është vërejtur këtë javë.

Thatësia në ujëvarat e Mirushës nuk është krejtësisht e natyrshme. Përveç kushteve klimatike, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, përkatësisht Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, janë disa faktorë që kanë ndikuar në shterjen e ujëvarave.

“Shfrytëzimi i ujërave nëntokësorë nga puset në rrjedhën e epërme të lumit Mirusha, shfrytëzimi i ujit pa kriter në shtratin e lumit Mirusha nga banorët e fshatrave përreth për ujitjen e tokave bujqësore dhe penda e ndërtuar nga Komuna e Malishevës pa leje ndërtimi, kanë ndikuar në mosqarkullimin normal të ujit në shtratin e lumit Mirusha”, sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në kuadër të AMMK-së.

Me gjendjen janë të shqetësuar edhe banorët e fshatit Llapçevë të Malishevës, që ankohen për mosndërhyrjen e autoriteteve në ndalimin e degradimit të ujëvarave.

Ata kanë shprehur shqetësimin edhe për derdhjen e kanalizimeve në Lumin Mirusha, nga kanë burimin ujëvarat e Mirushës, gjë që, siç thonë, mund të ketë ndikuar edhe në ngordhjen e peshqve.

Por, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mohuar të jetë diga faktor për thatësinë në ujëvarat e Mirushës.

Sipas tij, janë kushtet klimatike shkak i kësaj thatësie dhe se kjo nuk është hera e parë që ka pasur thatësi të tillë.

Pas riaktualizimit të problemit te Ujëvara e Mirushës, edhe nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës kanë thënë për KOHËN se kanë realizuar disa vizita në terren dhe se janë dukë përgatitur raport për gjendjen atje.

Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore dhe i përkasin kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”.