Turbullira në ujin e pijshëm në Klinë – Fabrika ndalon përkohësisht prodhimin

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. – Pejë, Njësia Operative në Klinë, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të fundit atmosferike janë shfaqur turbullira të para në fabrikën e ujit të pijshëm dhe në fundrrues.

Pas një periudhe njëmujore pune provuese të sistemit të fundrruesve dhe mikrofiltrave, reshjet e ditëve të fundit kanë ndikuar në rritjen e turbullirave në ujë, duke bërë që ekipet e specialistëve të nisin remontin dhe kontrollin e detajuar të gjithë sektorëve në fabrikë.

Në njoftim zyrtar, kompania bën të ditur se për disa ditë do të ndalet prodhimi i ujit përmes mikrofiltrave, ndërsa furnizimi i qytetarëve do të vazhdojë nga burimet ujore të mëparshme, deri në rikthimin e plotë të fabrikës në prodhim normal.

Sipas planifikimit të stafit teknik në fabrikën e ujit të pijshëm në Klinë, punimet pritet të zgjasin nga 3 deri në 5 ditë.
Derisa procesi të përfundojë, KRU “Hidrodrini” apelon qytetarët që të mos e përdorin për pije ujin nga ky sistem, derisa të vijë njoftimi i radhës zyrtare.