Osmani: Nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet e mia, e din mirë Isa Mustafa

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka theksuar se për qëndrimet e saj politike nuk ka nevojë që të koordinohet me askënd, e që për këtë thotë se më së miri e di kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ky deklarim vjen pasi që Mustafa ditë më parë e ka quajtur të papërgjegjshëm mos-drejtimin e seancës nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ku u votua Hoti si kryeministër e gjithashtu në një deklarim tjetër e vuri në pikëpyetje vazhdimin e saj në LDK.

“Sikurse z.Mustafa dhe çdo politikan tjetër e din që nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që i mbaj. Në fakt, më mirë së kushdo qoftë këtë do ta dinte z.Mustafa. Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime dhe nga njerëzit që e duan në të vërtetë LDK-në dhe të mirën e Kosovës. Këto qëndrime kanë qenë gjithnjë të njëjta. Pra unë prapë i sfidoj se cilin qëndrim që e kam mbajtur para tetorit dhe pas saj, ka ndryshuar. Kanë qenë qëndrime të njëjta me të cilat e kemi marrë besimin qytetar”, tha ajo.

Ajo deklaroi se të ardhmen e saj politike do ta përcaktojnë vetëm qytetarët e Kosovës.

Vjosa Osmani ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti. Po ashtu, ajo nuk ka votuar fare dhe nuk e ka udhëhequr seancën e Kuvendit në të cilën është votuar Qeveria Hoti.