Asfalti afër 300 mijë euro që lidh Klinën me Malishevën nuk mbijetoi as një vit

Më 28 prill 2020 ka përfunduar projekti për asfaltimin e rrugës që lidh fshatrat Sferkë-Dush dhe Rud, pra Komunën e Klinës me Komunën e Malishevës, me gjatësi 4 kilometra për të cilin u dhanë 267.270,00 euro nga Ministria e Infrastrukurës, .

Mirëpo ky asfalt mbijetoi më pak se një vit, pasi që reshjet e shiut në atë pjesë bënë që ai të bëhej copë-copë.

Në bazë të njoftimit për nënshkrimin e kontratës më datë 18.09.2019 rezulton se fillimisht për këtë projekt u parashikuan 420.000,00 euro mirëpo me kriterin për çmimin më të vogël u arrit që vlera e përgjithshme e kontratës të jetë 267.270,00 euro.


Realizimi i këtij projekti është financuar nga Ministria e Infrastrukturës por procedurat tenderuese janë udhëhequr nga Komuna Malishevës, ndërsa punimet janë kryer nga kompania REA SH.P.K.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kompaninë REA SH.P.K. të cilët pohojnë se këtë projekt e ka financuar Ministria e Infrastrukturës por thonë për shkak të vërshimeve është dëmtuar asfalti e jo për punën e tyre.

“Nuk është faji jonë është faji i natyrës. Nuk ka ndodh për shkak të punës gjatë ekzekutimit por për shkak të vërshimeve që kanë ndodhë në atë pjesë“, thonë nga kompania e lartëpërmendur.


Lidhur me këtë pati reagim edhe nga Komuna e Malishevës të cilët thanë se pjesa e dëmtuar e rrugës, është në territorin e Klinës teksa fajin për dëmtimin ia lënë natyrës.

“Rruga që lidhë fshatin Rud me fshatin Sferkë, është ndërtuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa pjesa e dëmtuar e rrugës, është në territorin e Klinës. Komuna e Malishevës, e ka dhënë njoftimin për qytetarë që të mos kalojnë në atë pjesë për shkak të rrezikshmërisë. Këtë sqarim publik e bëjmë me qëllim të sqarimit të opinionit dhe mediave, sepse atë rrugë nuk e ka ndërtuar Komuna, po Ministria dhe as pjesa e dëmtuar nuk është në territorin e Malishevës. Sidoqoftë, deri te dëmtimi i rrugës ka ardhur si pasojë e vërshimeve të mëdha, pra nga natyra“, thuhet në njoftimin e tyre.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë edhe një qëndrim nga kryetari i Komunës së Klinës, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.